- Advertisement -spot_img
HomeLAJMEPse askush në BE nuk kujtohet për aplikimin e Kosovës? Qeveria shpreson...

Pse askush në BE nuk kujtohet për aplikimin e Kosovës? Qeveria shpreson të trajtohet me seriozitet

Prej se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 dhjetor të vitit 2022, Presidenca e Këshillit të BE-së është ndarë mes pesë shteteve anëtare: Çekisë, Suedisë, Spanjës, Belgjikës dhe Hungarisë. E para e ka pranuar aplikimin, por asnjë tjetër nuk e ka shqyrtuar.

Presidenca hungareze – me mandat deri në fund të këtij viti – nuk i është përgjigjur nëse do të bëjë ndonjë hap. Qeveria e Kosovës shpreson që po.

“Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit janë hapa të domosdoshëm, të cilët duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, thotë për Radion Evropa e Lirë Klisman Kadiu, këshilltar politik i Qeverisë së Kosovës.

Me rregullore, detyrën për ta futur në shqyrtim aplikimin e një vendi për anëtarësim në BE, e ka presidenca e Këshillit të BE-së, e cila çdo gjashtë muaj ndërrohet mes vendeve anëtare.

Këshilli, përkatësisht përfaqësuesit e 28 shteteve anëtare vendosin se kur aplikacioni i dërgohet Komisionit Evropian, i cili ftohet të përgatisë një opinion për meritat e vendit aplikues.

Përmes një pyetësori, pastaj, Komisioni vlerëson gatishmërinë e vendit aplikues për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit, përkatësisht për të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit.

Në proces të zgjerimit janë aktualisht dhjetë shtete – gjashtë të Ballkanit Perëndimor, plus Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Turqia. Me përjashtim të Kosovës, të gjitha janë vende kandidate, e disa edhe në negociata për anëtarësim.

Kosova dhe Serbia janë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë. BE-ja, si ndërmjetësuese, ka theksuar rëndësinë e rezultateve në këtë proces, si parakusht për përparimin e tyre në rrugën evropiane.

Por, përkundër kësaj, marrëdhëniet mbeten të tensionuara dhe shumë prej marrëveshjeve të arritura, nuk zbatohen.

Udhëheqësit politikë, Albin Kurti i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë, nuk janë takuar saktësisht një vit. Qeveria e Kurtit, ndërkohë, ka bërë disa veprime – si heqja e dinarit serb nga përdorimi apo mbyllja e institucioneve paralele serbe – të cilat Bashkimi Evropian i ka konsideruar si të njëanshme dhe me ndikim negativ.

Kosova, për më shumë se një vit, është edhe subjekt i disa masave ndëshkuese nga BE-ja, të cilat lidhen me tensionet në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Kosova nuk u është përgjigjur as kërkesave të vazhdueshme të disa vendeve anëtare të BE-së për të ndërmarrë hapa në drejtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në fillim të këtij muaji, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka rikonfirmuar angazhimin e saj për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, ashtu si edhe të Ukrainës dhe Moldavisë, por ka paralajmëruar se duhen edhe vendime të vështira.

“Si vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor do të përballen me zgjedhje të vështira. Mosmarrëveshjet dypalëshe duhet të trajtohen. Integrimi në BE do të varet nga qeveritë dhe nga marrja e vendimeve të vështira, e ndonjëherë edhe jopopullore. Por, kjo është koha në të cilën jetojmë. Shtyrja e vendimeve nënkupton marrjen e vendimeve të gabuara”, ka thënë von der Leyen në Forumin e Bledit.

Mali i Zi dhe Serbia kanë qenë vendet e para në Ballkanin Perëndimor që i kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE – më 2012, përkatësisht më 2014.

Ndërsa Serbia mbetet më mbrapa, për shkak të mospërshtatjes së politikave të saj me ato të BE-së, për Malin e Zi flitet me data konkrete.

Në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian tashmë ekziston një plan i përgatitur kalendarik, sipas të cilit Mali i Zi do të mund ta përmbyllte të gjithë procesin e negociatave për anëtarësim deri në vitin 2026 dhe, në rrethana ideale, të bëhet anëtar i BE-së më 2028.

BE-ja, për herë të fundit, është zgjeruar me Kroacinë në vitin 2013.

/GazetaSinjali/

Stay Connected
16,985FansLike
2,458FollowersFollow
61,453SubscribersSubscribe
Must Read
Related News

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here