Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodh edhe natën e 11 shtatorit, në rrugën “Pal Paluca” në Prizren.
Siç mëson Gazeta Sinjali, Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe atë natë ka gjetur tri gëzhoja të armës, ndërsa në shikimin e vendit në ditën tjetër kanë gjetur edhe tetë gëzhoja të tjera.
Për rastin Policia ka identifikuar tre të dyshuar, dhe ka arrestuar dy të dyshuar.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se i arrestuari për gjuajtjen me armë është Jeton Palokaj, ndërsa i arrestuari tjetër Bernard Bytyqi, dyshohet “moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre”.
Personi i tretë i përfshirë në rast është Kend Bezhi, i cili sipas burimeve të Gazetës Sinjali, nuk është gjetur në shtëpi gjatë bastisjes së Policisë.
Ndryshe, Policia ka kryer bastisje edhe në shtëpitë e dy të dyshuarve të arrestuar.
Në shtëpinë e Palokajt, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me mbishkrimin SIG-SAUER, me karikatorë dhe dy fishek.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe Policia në Prizren.
Të dyshuarit, pas intervistimit nga Policia, me vendim të Prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/